Trepça starton me humbje në turneun turk

Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, ka nisur me humbje paraqitjen në turneun ndërkombëtar që po mbahet në Bursa të Turqisë. Të mërkurën, në ditën e parë të edicionit të 12-të të turneut “Cevat Soydas”, Trepça u mposht nga Erdemiri me rezultatin 70:61. Erdemiri garon në Superligën e Turqisë. 

Lojtarët më të mirë të Trepçës ishin amerikanët Vincent Simpson e Rickey Young, që skuadrës iu bashkuan gjatë verës. Plejmejkeri Simpson ndeshjen e mbylli me 18 pikë, katër asistime e dy kërcime, derisa qendra Young pati 15 pikë e një kërcim. Pikë dyshifrore realizoi edhe Besnik Azemi. Ai shtoi edhe pesë kërcime e një asistim.

Skuadra turke dominoi dy çerekët e parë, ndërsa në dy periudhat e fundit “xehetarët” u paraqitën më mirë. Në çerekun e tretë, pas një serie prej 18:4, Trepça ngushtoi epërsinë në katër pikë, 46:42. Por, më pas epërsia e Erdemirit u ngrit sërish dhe u ruajt deri në fund të ndeshjes

Leave a comment